Lajmet e fundit

Visar Ymeri, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje po mendon se është ish kryeministri tani Presidenti Hashim Thaçi, ai që po e pengon liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas tij, vendit po i refuzohet nga Bashkimi Europian lëvizja e lirë në shtetet anëtare të kësaj organizate për shkak të korrupsioni e krimit të organizuar dhe se bartës kryesor i krimit e korrupsionit po e cilëson Hashim Thaçin.
“Së paku prej vitit 2012, Kosovës i refuzohet liberalizimi i vizave për shkak të shkallës së lartë të krimit e të korrupsionit. Hashim Thaçi, si bartësi kryesor gjatë këtyre viteve i krimit dhe korrupsionit, asnjëherë nuk e kishte vendosur liberalizimin e vizave mbi interesin e tij personal. Për të, sovranitetit shtetëror, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, asnjëherë nuk kanë qenë më të rëndësishme se sa ruajtja dhe rritja e pushtetit dhe pasurisë së tij private”.
Ymeri në profilin e tij në Facebook, shkruan se Thaçi po shtiret duke thënë se do të punojë në vizionin e kosovarëve drejt liberalizimit të vizave dhe së fundmi po i duket e mërzitshme që të flasë për korrupsionin, andaj si President po e përmend marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacion, si kusht për liberalizim.
“Ai paraqitet gjoja si president që do të bëj çmos për të arritur liberalizimin e vizave, apo siç e quan ai “vizionin tonë evropian për liberalizim”. Thaçi po tingëllon i ekzaltuar. Për të procesi për liberalizim është bërë i përdorshëm për ta kontrabanduar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Nuk ka ekzaltim të njëjtë në publik për kushtin tjetër që lidhet me intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Në të vërtetë këtë kusht Thaçi e ka bezdi. Prandaj flet vetëm për demarkacionin”, shkruan Ymeri në Facebook.