Lajmet e fundit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Slloveni, ka marrë pjesë sot edhe në hapjen e Forumit Ekonomik Kosovë-Slloveni, të organizuar nga dhomat ekonomike të Sllovenisë dhe të Kosovës.
Forumi është hapur nga Thaçi dhe homologu i tij slloven, Borut Pahor.
Numri një i Kosovës u shpreh se Sllovenia, si investitorja e dytë më e madhe në Kosovë, është partnere e rëndësishme ekonomike e Kosovës.
“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe inkuadrimi në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) përbëjnë një konfirmimin të radhës të përkushtimit të Kosovës në jetësimin e reformave të thella në ekonomi, politikë dhe sundim të ligjit”, ka thënë ai.
I pari i vendit theksoi se këto të arritura të Kosovës reflektojnë një besim më të madh të bizneseve për të investuar në Kosovë dhe për potencialet e Kosovës për zhvillim ekonomik.
Nga ana tjetër, homologu i tij slloven, Borut Pahor, tha Sllovenia ka përvojë të çmueshme në zhvillimin ekonomik të vendit dhe se shtetet e tjera duhet të marrin shembull nga shteti slloven, transmeton Klan Kosova.