Lajmet e fundit
Në tri pjesë të ndryshme të vendit, pas kontrollit nga Policia e Kosovës, tetë persona kanë përfunduar në pranga, pasi të njëjtëve u është gjetur në posedim sasi e caktuar substancash narkotike

Tetë persona kanë përfunduar në pranga për posedim apo shpërndarje dhe shitje narkotikësh, pas kontrolleve të Policisë së Kosovës në rajone të ndryshme të vendit.
Në Gjilan tre shtetas janë arrestuar dhe intervistuar nga prokurori për shkak se u janë gjetur në posedim narkotikë të llojit marihuanë dhe heroinë.
Pas marrjes në pyetje nga prokurori, me urdhër të tij, i dyshuari të cilit i është gjetur marihuanë është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të tjerët që janë kapur me heroinë janë dërguar në mbajtje.
Katër të dyshuar janë arrestuar në Ferizaj, pasi të njëjtve u është gjetur në posedim sasi marihuane dhe kokaine, si edhe armë pa leje.
Një nga ta është liruar në procedurë të rregullt, pasi është intervistuar nga prokurori, ndërsa për tre të tjerë ai ka vendosur që t'i dërgojë në mbajtje.
Edhe në rajonin e Mitrovicës ka pasur të arrestuar për posedim të substancave narkotike, por i dyshuari të cilit i është gjetur në posedim një sasi marihuane, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.