Lajmet e fundit

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar festën e Fitër Bajramit përmes një konferencë për media.
Ai bëri thirrje për unitet dhe falje mes besimtarëve, si dhe për të kultivimin e vlerave shoqërore, njofton Klan Kosova.
“Në emër të Zotit sonte me iftarin e fundit po përcjellim muajin e Ramazanit, muajin e Kuranit, muajin që për besimtarin islam ka një rëndësi të madhe. Ky ishte muaji ku u kultivuan vlerat më të madhe shpirtërore, morale dhe shoqërore”.
“Në muajin ku edhe më shumë e ngritëm nivelin e dashurisë ndaj Zotit për të fituar kënaqësinë e tij përmes një kodi të veçantë etik, në të cilin dominon fuqia e vlerës dhe parimit ndaj çdo fuqie tjetër”.
“Nesër është dita e parë e festës së Fitër Bajramit, që vjen pas një muaj sakrifice për t’u afruar me tepër me Zotin ku kultivuam tolerancën, shpirtmadhësinë, tolerancën, vëllazërinë, solidaritetin. Vlera këto që kanë një rol të pazëvendësueshëm në shoqërinë tonë, ngase këto janë parime të mëdha që feja islame i përçon në mbarë njerëzimin”.
“Islami është arenë ku shkrihen dallimet, pozitat dhe arenë për të mirën e përgjithshme”.
“Festa e Fitër Bajramit troket në derën e besimtarit dhe vatrat tona menjëherë pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë ku myslimanët në mbarë botën kanë agjëruar dhe sakrifikuar”.
Tërnava tha se në këtë festë duhet kryer obligimi fetar ndaj kategorive sociale të shoqërisë.
“Ne duhet të kryejmë një obligim të fesë sonë, që është edhe pjesë e pesë shtyllave. Edhe në këtë ditë feste e kemi obligim që t’i thërrasim ndërgjegjes për kategoritë sociale, jetimët dhe familjet skamnore. Ne nuk i kemi krye obligimet tona të mos e bëjmë më të mirën e mundshme për këtë kategori, qoftë si individ apo si shtet”.
“Kjo ditë është e ditë e unitetit, prandaj duhet të shfaqim në familje. Muhamedi a.s ka thënë: Dora e Zotit është me bashkësinë dhe unitetin. Në këtë ditë të madhërishme ftoj për unitet më të fortë mes nesh kur është në pyetje ardhmëria e shtetit tonë”.
“Kjo ditë është dita kur besimtari falë njerëzit e tjerë, ndaj edhe ju besimtarë të devotshëm, falni ata që ju kanë ofenduar, ata që kanë shpifur dhe kanë folur keq për ju, falni zënkat dhe mosmarrëveshjet mes jush”.
“Mos harroni se Allahu xh.sh., është me ata që falin, kur ju falni tregoni mëshirën e Zoti xh.sh., që është brenda jush dhe bëheni shkak që Zoti t’ju falë juve në Ditën e Gjykimit”.
“Zoti nuk ka nevojë për vlerësimin dhe mirënjohjen tonë ? Ai është Krijues i çdo gjëje, është i pafillim dhe i pambarim, ndryshe nga krijesat e Tij, jemi ne ata që kemi nevojë të përmirësojmë veten tonë, duke lidhur zemrat tona me përmendjen e Tij, si dhe duke përfituar nga shprehja e mirënjohjes së Tij”.
“Allahu xh.sh. thotë: ‘’Më përmendni mua , Unë ju përmend juve Më falënderoni e mos e mos Më mohoni””.
“ Më lejoni t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira për t’iu drejtuar besimtarëve myslimanë kudo që janë dhe duke e lutur Zotin që të na pranojë agjërimin të urojë festën e Fitër Bajramit”.