Lajmet e fundit
Një tërmet me fuqi 6,9 ballë sipas Shkallës së Richterit ka goditur sot Ishujt Solomon në Oqeanin Paqësor, i përcjellë nga një dridhje më e dobët prej 4,9 ballë, njoftoi Enti Gjeologjik i SHBA-ve.

Tërmeti ka ndodhur në thellësi prej 19 kilometra, 184 kilometra larg qytetit Late dhe 487 kilometra nga kryeqyteti Honiara.
Nga Qendra e Paqësorit për Alarmim për Cunami kumtuan se pas tërmetit nuk ekziston rrezik nga paraqitja e cunamit dhe nuk pritet që të jenë shkaktuar dëme më të mëdha materiale.
Ishujt Solomon gjenden në një pjesë të Paqësorit me aktivitet tejet të lartë tektonik, në të ashtuquajturën “unazë e zjarrtë”, e cila goditet shpesh nga tërmetet dhe erupsionet e vullkaneve.
Më herët këtë muaj, Papua Guineja e Re fqinje u godit nga një tërmet 7,1-ballësh, por cunami i shkaktuar i anashkaloi ishujt dhe nuk u raportuan dëme.