Lajmet e fundit

Në filmin “Tenderi” asnjë nga personazhet s’ka emër, ata as s’kanë as adresa. Kjo sepse asnjë prej tyre s’është thjeshtë një personazh i reduktuar në të qenurit dikush. Ata janë steriotipe, dhe jeta e secilit prej tyre tregon fenomene të shpërhapura në shoqëri.
Emra vendbanimesh s’ka po ashtu, sepse ndodhitë në film s’mund të kufizoheshin me një vendbanim, me një lokalitet, me një gidë, për shkak se të tilla ngjarje hasen gjithandej, krimi s’ka nacionalitet, ai ndodh ngado.
Artistikisht, përmes një taksie të vogël, trajtohet një temë shumë e madhe – globale. Filmi nuk tregon as kohën, po për shkak se fenomenet e trajtuara në të ndodhin prej se koha ekziston.
“Ky është filmi im i parë dhe kam dashur që si i pari të jetë një film njoftues për mua me audiencën si në Kosovë, ashtu dhe jashtë saj. Duke qenë kështu doemos është dashur të jetë një temë që flet me audiencën, por pa adresë të vendndodhjes së ngjarjes, apo etnisë”.
“Prandaj, mendoj se idenë time e ka përpunuar mrekullueshëm Arlinda Morina, e cila ka shkruar një skenar shumë të mirë”.
“Ajo që duam të themi ne përmes filmit është se krimi ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë, megjithatë ne si artistë jemi munduar të kontribuojmë që brenda mundësive tona të tregojmë se krejt në fund, krimin e pason ndëshkimi”.
Filmi i Dabiqajt dhe regjisores Morina ka gjetur pëlqimin edhe tek kolegët e tyre.
Producenti dhe aktori i njohur kosovar, Shkumbin Istrefi, ka thënë për Klan Kosovën se loja e aktorëve në film është e mrekullueshme dhe se “Tenderi” është nga ata filmat që i mungojnë artit të shtatë në Kosovë.
“Filmin ‘Tenderi’ e kam shikuar në fazën e postproduksionit. Sipas meje, duke pasur parasysh kushtet buxhetore, filmi është i realizuar shumë mirë në çdo aspekt. Mendoj që Edisoni dhe të gjithë aktorët kanë luajtur shkëlqyeshëm”.
“Po ashtu edhe Liki (Arlinda Morina), për të satën herë dëshmoi që është një regjisore e cila gjithnjë na sjell projekte të zhanrit që i mungojnë skenës sonë”.
Se sa është e vështirë për një krijues të ri të bëjë filma në Kosovë, tregon edhe Dabiqaj.
“Është më e vështirë se sa e kam menduar. Kur fillon diçka të këtij lloji, që ta përfundosh, pos angazhimit dhe përkushtimit, duhet të kesh para ose durim. Unë në këtë projekt kam pasur durimin. Ne fund me duket se ia dolëm së bashku me ekipin, duke falënderuar edhe familjen dhe shoqërinë time”, rrëfehet Dabiqaj, derisa thekson edhe se e gjithë kasta e aktorëve ka punuar vullnetarisht – pa asnjë kacidhe.
Duke ditur punën e palodhshme të të gjithë të angazhuarve në këtë projekt, Shkumbin Istrefi shpreson se filmi do të dërgohet nëpër festivale si inkurajim për ekipin që të punojë edhe filma të tjerë në të ardhmen.
“Shpresoj që ky film të udhëtojë në festivale dhe të shitet, në mënyrë që të mos demotivohen ekipi dhe financuesi apo financuesit, në mënyrë që të mund të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim dhe leverdi”, thotë Istrefi në prononcimin e tij për Klan Kosovën.
Fatmirësisht, një gjë e tillë pritet të ndodhë shpejt, pasi Dabiqaj, si producent ekzekutiv, e ka ndërmend ta dërgojë filmin në festivale në Europë, por dhe jashtë saj.
“Tashmë pas premierës së filmit do të jem një kohë në Gjermani për angazhime jashtë profesionit. Por, duke qenë në Europë besoj se mundësitë e mia janë më të mëdha që filmin ta dërgoj në festivale të ndryshme”.
I pyetur se a beson se “Tenderi” do të ketë sukses, ai përgjigjet shkurt; ”Jam i bindur se filmi është më shumë se sa një diplomë”.
klankosova.tv