Lajmet e fundit

INTERVISTA E PLOTË:
Diola, javët e fundit ka pasur ngritje të larta të temperaturave në Kosovë.
Si i komentoni efektet që shkaktojnë këto ndryshime të menjëhershme klimatike në organizmin tonë?
Diola Dosti: Normalisht, temperaturat e larta nuk janë thjeshtë jo-komforte për trupin tonë, por gjithashtu mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Dhe për këtë arsye duhet të kemi shumë kujdes. Bëhet fjalë edhe për ndikimin që kanë temperaturat e larta jo vetëm në trup por edhe ne trurin tonë. Rritja e temperaturës trupore mund të shkaktojë një djersitje shumë të madhe, dehidratim, lodhje kronike, marramendje dhimbje koke, nauze, krampe, por edhe një puls shumë të dobët. Në raste të tilla rekomandohet gjithmonë që këta persona që kanë përjetime të tilla të qëndrojnë në vende të freskëta, të bëjnë një dush me ujë më të freskët, ose të veshin rroba të cilat janë të lagura në trupin e tyre. Po ashtu, temperaturat e larta nuk janë të mira dhe për trurin, sepse mund ta çojnë në një gjendje mjegullimi.
Kjo është një ndjesi, ose sensacion ku individit i duket se është në një dhomë me avuj të nxehtë dhe i bëhet shumë e vështirë frymëmarrja. Pra, në këto raste kur temperaturat rriten kaq shumë, në njerëzit kemi një performancë shumë të ulët dhe gjithashtu aftësitë tona kognitive ose njohëse, janë shumë të ulëta e sidomos për individët që punojnë në dhoma të cilat nuk janë të ajrosura mirë dhe nuk janë të freskëta. Ajo që është më e rëndësishme për t’u theksuar, sidomos në vendin tonë, është se nxehtësia duke u përzier ose duke u bërë bashkë me ndotësit e ndryshëm të cilët gjenden në ajër, vështirësojnë më shumë frymëmarrjen dhe çojnë në sëmundje të ndryshme që mund të prekin aparatin respirator. Po ashtu, temperaturat e larta, bëjnë që edhe ndotësit të reagojnë me gazrat atmosferike duke pasur ndikim në shtresën e ozonit. Një studim i vitit 2008, tregon që për çdo gradë celsius që rritet temperatura, ndotja e shtresës së ozonit mund të sjellë deri në vrasjen e rreth 22 mijë njerëzve kudo në botë. Dhe jo vetëm kaq, por kjo situatë sjellë pastaj edhe rritjen e probabilitetit për t’u prekur nga alergjia, nga astma, nga kanceri i mushkërive dhe gjithashtu nga sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa, një tjetër studim i bërë në vitin 2018 i publikuar në Revistën ‘Nature Climate Change’, raportoi e se për çdo rritje për 1 gradë celsius afërsisht në muaj, rritet risku për të kryer suicidet. Kjo sepse me rritjen e temperaturës, njerëzit përjetojnë më shumë ndjesi ose situata që mund të çojnë drejt depresionit.
Çfarë duhet të kemi parasysh në të tilla situata, dhe ju si profesioniste e fushës së nutricionit si do ta konceptonit një dietë ditore që të ndjehemi sa më mirë me veten?
Diola Dosti: Unë them gjithmonë që duhet të respektojmë stinën e çdo fruti dhe perimeje. Tani në sezonin e verës, jo më kot natyra na ka lënë ushqimet që janë të pasuara me ujë, pra mbi 70% e tyre kryesisht janë ujë, ku bëhet fjalë në veçanti për botën e frutave por edhe perimet e ndryshme. Mëngjesin të fillojmë me një gotë lëng të selinos në stomak bosh. 30 minuta pas konsumit të lëngut të selinos nuk duhet konsumuar ushqim, pastaj pas 30 minutash mund të hahet një mëngjes me drithëra me kos e me lloje të ndryshme të arrave, të farave dhe frutave të ndryshme stinore. Pastaj, dreka të jetë gjithmonë një gjellë ose një supë e shoqëruar me sallatë jeshile, kurse darka të jetë sa më e lehtë si p.sh. një kos me fruta dhe të konsumohet sa më shumë ujë gjatë gjithë ditës, pra kryesisht të fokusohemi në ujin i cili sjell organizmin tonë në një gjendje dhe situatë alkaline.
Cilat ushqime duhet t’i konsumojmë dhe cilave duhet t’iu shmangemi?
Diola Dosti: Duhet të konsumojmë të gjitha frutat dhe perimet e stinës, kryesisht ato me ngjyrë jeshile, pra pa përjashtim duke respektuar stinën. Ndërsa, sa i takon ushqimeve që duhet t’u shmangemi, unë këmbëngul që gjatë stinës verës për shkak të rritjes së kontaminimeve me bakterie të ndryshme me ‘listerian’ ose ‘salmonelën’ është mirë që t’iu qëndrojmë larg produkteve me origjinë shtazore të cilat marrin më shumë kohë për t’u tretur. Prandaj, le të mos ia vështirësojmë punën mëlçisë dhe stomakut dhe të konsumojmë vetëm ushqime që vijnë nga bota bimore, të paktën në sezonin e verës. Ndërkaq, sa i takon peshkut gjithmonë ka toleranca. Krudot, frutat e detit janë shumë të rëndësishme për t’u konsumuar ngase nga to marrim sasinë e nevojshme të Omega3 dhe Jodit.
Çfarë rekomandoni për personat me sëmundje kronike dhe si duhet të veprojnë ata që t’i reduktojnë sa më shumë problemet në këto ditë vape?
Diola Dosti: Te personat me sëmundje kronike hapi i parë duhet të jetë heqja dorë nga ushqimet me baze shtazore. Gjatë kësaj kohe preferohet që këta persona të kthehen në vegjetarian dhe pse jo në vegan, sepse kështu nuk do ta mundojnë organizmin dhe të gjitha ushqimet që do merren do të treten shumë herë më lehtë, e gjithashtu edhe reagimi i terapive të ndryshme qe këta persona marrin, do të jetë shumë herë më i mirë.
Po nga pemët dhe perimet cilat preferohen të konsumohen dhe nëse ka, cilat jo?
Diola Dosti: Të gjitha llojet e frutave të stinës, si qershia, nektarinat, pjeshkat, shalqiri etj. Pra, nuk ka asnjë lloj fruti që nuk duhet të konsumohet. Frutat gjithmonë përqafojini me shumë dashuri dhe përdorni çdo ditë.
Cili është roli i ujit dhe lëngjeve të tjera në përgjithësi?
Diola Dosti: Uji është përbërësi themelor në organizmin tonë. Ne jemi mbi 70% ujë. Sasia e ujit fillon që të bjerë me kalimin e moshës. Pra, sa më të moshuar të jemi, aq më shumë kemi nevojë për ta konsumuar atë. Është shumë i pasur me minerale dhe me elektroli të cilat na duhen për të kryer të gjitha funksionet në organizmin tonë.
A preferohet marrja e ndonjë suplementi për forcimin e imunitetit gjatë ditëve të nxehta?
Diola Dosti: Ditëve të nxehta mund të përdoren ndoshta algat e detit, por diçka tjetër specifike nuk do të kisha rekomanduar që ta ngarkoni veten me suplemente të ndryshme, përveçse në rastin kur ju keni vërtet një imunitet kompromentuar ose të cenuar, atëherë mund të përdorni p.sh. lëngun ose gelin e Aloe Verës, apo llojet e ndryshme të algave të detit.
Si do t’i këshillonit ata të cilët bëjnë plazh?
Diola Dosti: Për ata të cilët bëjnë plazh dy këshilla: e para të konsumojnë shumë ujë, mos të ekspozohen shumë gjatë, sidomos rreth orës 11 deri në orën 16:30 ose 17 përballë rrezeve të diellit, sepse janë shumë herë më të dëmshme. Të marrin masa me krem mbrojtës, por gjithashtu kremi të jetë sa më natyral ose organik që të mos përthithen kimikate.
©klankosova.tv