Lajmet e fundit
Të mbledhur në sheshin Skënderbeu, dhjetëra të verbër kanë vendosur të hyjnë në grevë urie, deri në plotësimin e kësaj kërkese, të cilën ata e paraqesin si të drejtë të mohuar

"Kërkojmë zbatimin e ligjit që na garanton të drejta punësimi për të gjithë ata që janë të kualifikuar", ka thënë grevisti Halil Kurmehaj nga Iniciativa e Pavarur e Intelektualëve të Verbër.
Të mbledhur në sheshin Skënderbeu, dhjetëra të verbër kanë vendosur të hyjnë në grevë urie, deri në plotësimin e kësaj kërkese, të cilën ata e paraqesin si të drejtë të mohuar.
Lideri i tyre, Halil Kurmehaj ka deklaruar për Klan Kosovën se janë takuar me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, por se nuk ka rezultuar gjë nga ato takime, veç premtimeve boshe.
Ai ka nënvizuar se janë rreth 40 të verbër të papunë që kanë mbaruar studimet universitare, apo post-universitare, të cilëve në një formë a një tjetër shteti po ua mohon të drejtën e punës.
Por veç zyrtarëve të shtetit në thumb të kritikave të Kurmehajt kanë qenë edhe drejtuesit e Shoqatës të Verbërve të Kosovës, të cilit sipas tij nuk interesohen aspak për të drejtat e kësaj pjese të shoqërisë.
Kurmehaj ka theksuar se kohëzgjatja e grevës do të varet nga plotësimi i kërkesave të tyre dhe gjendja shëndetësore e grevistëve. Vendqëndrimet e tyre po rregullohen nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
http://klankosova.tv/te-verberit-protestojne-na-jepni-pune-ose-hyjme-ne-greve/