Lajmet e fundit

Ministria e Pushtetit Lokal për herë të dytë ka mbetur pa “zot shtëpie”, pas shkarkimit të Ljubomir Mariq. Ajo që nuk i mbijetoi presionit nga Serbia, duke dhënë dorëheqje nga pozita, është ministrja e sapoemëruar Mirijana Jevtiq.
Pozita vakante e ministrit të Pushtetit Lokal pritet që të plotësohet gjatë ditëve në vijim, pas vendimit që do ta marrë Lista Serbe.
I kontaktuar nga Gazeta “Zëri”, shefi i “Listës Serbe”, Sllavko Simiq, nuk ka shprehur dëshirë të flasë në lidhje me ministrin e ri që do vijë në këtë pozitë.
Në Qeverinë e Kosovës bëjnë të ditur se vendimi për emërimin e ministrit të Pushtetit Lokal do të vijë ditëve në vijim. “Jo, ende nuk ka vendim në këtë çështje nga Kryeministri. Besoj që vendimi do të vijë në ditët në vijim”, ka deklaruar këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj.
“Pazaret, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”
Në anën tjetër, në subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), vlerësojnë se shkarkimet dhe dorëheqjet janë vetëm pazare mes Mustafës e Listës Serbe.
Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, i vlerëson si për keqardhje veprimet e Qeverisë karshi Listës Serbe. “Shkarkimet dhe dorëheqjet janë pazare ndërmjet Qeverisë së Mustafës dhe Beogradit. Është për keqardhje se si tolerohen veprime të tilla. Në një shtet normal Lista Serbe nuk do të mundë as të ishte pjesë e institucioneve të vendit dhe për shkak të luftimit aktiv të Republikës do të duhej të largohej nga institucionet”, ka deklaruar Haxhiu.