Lajmet e fundit

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se gjendja në veri të vendit është shumë e rëndë.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se veriu është duke shkuar drejt ndarjes nga shteti i Kosovës.
“Se gjendja në veriun e vendit është e rëndë, po e pranojnë edhe pushtetarët. Bazuar në informatat dhe gjërat që po shihen çdo ditë, procesi po çon drejt ndarjes së veriut dhe Qeveria e Kosovës nuk po merr asnjë masë”, ka deklaruar Kurteshi.
Kurteshi, i cili ka propozuar një rezolutë për gjendjen në veri, u ka bërë thirrje deputetëve ta votojnë këtë rezolutë e cila e obligon Qeverinë të marrë masa për integrimin e veriut në shtetin e Kosovës.
“Nëpërmjet rezolutës kërkojmë që Qeveria të angazhohet dhe të mos lejojë ndërtimin e lagjeve të karakterit kolonizues, një-etnik. Po ashtu, kërkesa tjetër është që Qeveria e Kosovës t’u dalë në ndihmë shqiptarëve që janë të interesuar t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre në veri. Pra, ata t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe të mos pengohen nga strukturat që janë pasardhëse të regjimit të Millosheviqit. Në këtë drejtim kërkojmë nga Qeveria që shqiptarët t’i ndihmojë edhe financiarisht”, ka theksuar Kurteshi, duke shtuar se ndërprerja e bisedimeve me Serbinë është e vetmja formë që situata në Kosovë të normalizohet dhe serbët e veriut të fillojnë të integrohen në sistemin shtetëror të Kosovës.