Lajmet e fundit

Rrugën që e nisën, janë me fat që do ta vazhdojnë deri në stacionin e fundit.
Mërgimtarët e mbijetuar nga aksidenti i së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë, në mënyrë të organizuar po udhëtojnë për në Kosovë. Disa prej tyre qenë me terapi mjekësore deri të martën.
Autobusi i bartë deri në aeroport, për të fluturuar më pas me aeroplan deri në Prishtinë. Sipas burimeve të televizionit, këta do të arrijnë në "Adem Jashari" në ora 22:15. Ndërkaq qeveria ka organizuar konferencë për medie rreth një orë më pas, njofton Mitropol.
Me organizim shtetëror do të bëhet edhe transporti i dhjetë kufomave. Veçse këto do të barten me mjete të transportit rrugor nga kompania "Pikëllimi". Nisja bëhet mbrëmjen e së martës, ndërsa varrimi të nesërmen.
"Po besojmë që varrimi i tetë viktimave të këtij aksidenti të bëhet nesër. Ndërsa, i Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës për shkak se duhet një konfirmim i forenzikës që të merren mostrat për analizat e ADN-së, sapo të konfirmohet gjithçka dhe të kthehen analizat e ADN-së, mund të shtyhet varrimi për një ditë", ka treguar Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit.
Ngasësit të autobusit që ishte në detyrë në momentin tragjik iu caktua paraburgim prej një muaji. Sipas gjykatësit Mille Solldo, kjo masë iu vendos sepse i dyshuari mund të ikë nga Kroacia, ndërsa shtoi se rasti mund të vazhdojë të trajtohet në Kosovë.
“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Kroacisë, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por, për këtë duhet pajtimi i dy shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë një gjë të tillë, por propozimi duhet të bëhet nga shteti”, u shpreh Solldo.
Avokati i të dyshuarit e mohoi se vozitësi i tij ka deklaruar që shkak i aksidentit ishte se e ka zënë gjumi.
"Me aq sa kam unë informacione ai në asnjë moment e askujt nuk i ka thënë se e ka zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes. Më ka thënë diçka por këtë do ta ruaj si bisedë mes nesh", ka thënë Igor Cishper.
Pasdite, lidhur me aksidentin u morën në pyetje edhe disa nga udhëtarët e mbijetuarit të tragjedisë.