Lajmet e fundit

Nën organizimin e Aleancës së të Rinjve të Kosovës ku morën pjesë edhe përfaqësues nga të rinjtë e Lëvizjes Vetëvendosje! Si dhe organizatat joqeveritare NDI, CAS dhe FES, sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, u mbajt tryeza me temë “Të izoluar... Deri kur?”, që kishte të bëntë me temën jetike për rininë kosovare, sot, atë të liberalizimit të vizave.
U zhvillua një debat i gjerë e i hapur i panelistëve në tryezë, rreth asaj se kush është realisht fajtori i ngecjes në liberalizimin e vizave për Kosovën, Qeveria e Kosovës e cila nuk po i përmbushë kriteret e përcaktuara, apo rezervat dhe hezitimet e Bashkimit Evropian që të pranojnë shtrirjen e liberalizimit për vendet e Ballkanit.
Në tryezë u përmenden edhe arsyet qenësore të ngadalësimit të këtij procesi, si numri i madh i vizave të refuzuara nga vendet e BE-së, që kanë ambasada në Kosovë, numri i madh i qytetarëve që po qëndrojnë ilegalisht në vendet e zonës Shengen, prodhimi i rritur i azilkërkuesve nga Kosova, migrimi i vazhdueshëm i qytetarëve të Kosovës që ka bërë trefishimin e numrit të migrimeve që nga viti 2013 etj.
Për të gjitha këto, u konkludua se adresë e kësaj situate të rënduar është politika e gabuar dhe dështimi i Qeverisë së Kosovës, transmeton Klan Kosova.