Lajmet e fundit
Të burgosurat e burgut "325" do të ngjiten sot në orën 19:00 si aktore në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Shtatë femra të burgosura të burgut "325" në Tiranë do të lënë sot qelinë për të interpretuar vetveten.
Asnjëra prej tyre nuk do ta kishte menduar se një ditë do të ngjiteshin në skenën e një teatri, aq më tepër tashmë kur jeta e tyre duket sikur ka përfunduar përtej hekurave.
Por regjisorja Ema Andrea ka menduar t’u japë një mundësi këtyre femrave, për ta treguar ndryshe jetën e tyre.
Një mundësi reflektimi, por dhe dëshire për të kapërcyer atë prag ku ndodhen.
Për të ardhur në ditën e sotme, regjisorja ka kaluar kohë me to në burgun 325, për të kuptuar filozofinë që duhet të mbartte kjo shfaqje.
Prej muajsh ajo është kthyer në njeriun më të dashur për dhjetëra të burgosura, për vetë mesazhet pozitive që u përcjell.
Regjisorja Andrea dukej sikur kishte shpërngulur jetën e tyre nga burgu 325 në skenën e Teatrit Kombëtar. Asnjë tekst dramatik nuk do të zëvendësonte historitë reale të këtyre grave, historitë fatale që i çuan përtej hekurave.
Ndaj Andrea ka vendosur që tekstin t’ua lërë në dorë vetë personazheve që ka zgjedhur për të interpretuar, duke i lënë të lira ta shndërrojnë skenën e teatrit, në një skenë të jetës së tyre të përditshme, duke jetuar e interpretuar përtej xhamave atë çfarë jetojnë çdo ditë në dhomat e burgut ku ndajnë jetën.
Njërës prej tyre i pëlqen të kalojë ditën duke u kujdesur për lulet, dikujt tjetër të bëjë grep, apo triko, tjetra të lajë rroba, të pastrojë xhamat, dikush tjetër të gatuajë.
Të gjitha këto ato do t’i bëjnë sot në skenë, bashkë me shprehjet që shpesh ia thonë vetes me zë e pa zë, se “nuk do të donin gjë tjetër veç të çonin dhe një herë fëmijën në shkollë”, apo “të endeshin në oborrin ku lëvizin vetëm pulat”.
Jeta dhe dëshirat e këtyre femrave janë kaq të thjeshta, por aq domethënëse.
Vetëm kur liria mungon, atëherë njeriu shkon në mënyrë instiktive tek gjërat që do të donte të bënte më shumë, gjëra që në jetën e përditshme ndoshta nuk i kanë vënë re.