Lajmet e fundit

Shaban Tasholli, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova gjatë intervistës Ballë për Ballë me Shkodran Gajrakun, ka thënë se në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e 11 pjesëtareve të Njësisë për Operacione Speciale të Policisë së Kosovës të cilët akuzoheshin se në vitin 2013 kanë keqtrajtuar shoqëruesit e ministrit serb Aleksander Vulin, kishte gisht edhe politika.
“Ankesat do të vazhdojnë në Gjykatën e Apelit dhe në gjykatën e apelit drejtësia do të zërë vend. Politika ka pasur gisht në dënimin e policëve që i kanë shoqëruar rojat e Vulinit në polici”, ka thënë Shabani Tasholli.
Ndërsa, duke komentuar mbi protestat e fundit, përleshjen në mes protestuesve dhe policisë, Shabani u shpreh se policia ka vepruar shumë mirë dhe plotësisht konform ligjeve.
“Ne policët jemi të thirrur që ta mbrojmë këtë shtet. Ne kemi shumë raste kur polici mbron shtetin nga kriminelët me shumë vepra penale. Policët i kanë armët për ta mbrojtur veten dhe pasurinë e shtetit. Nuk jam i mendimit që policët të mos dënohen për veprat e jashtëligjshme, por jo të dënohen kur po mbron veten e pronën e shtetit”, tha Tasholli.
Kryesindikalisti i policëve, shtoi se tërë kohën policia ka qenë gjakftohtë dhe ka reaguar vetëm kur ka qenë e nevojshme.
“Policët ishin shumë gjakftohtë gjatë gjithë protestave. Të gjithë policët e dinë se kur duhet përdorur arma”.
“Pe mbron qeverinë, dhe sulmohet me gur në kokë. Po të mos e kishte helmetën në kokë, ai polic të cilit i hodhën gur s’do të ishte më gjallë. Policia është sjellë jashtëzakonisht mirë, ka pasur disiplinë dhe kujdes në çdo rrethanë”.
Gjatë protestës së sotme janë lënduar 7 policë, ndërsa Tasholli konfirmoi se ata tani janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Policët janë në gjendje stabile shëndetësore. Por shpresojmë që këto skena dhune nëpër rrugët e Prishtinës të mos përsëriten”.