Lajmet e fundit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar angazhimet e tyre diplomatike për të qetësuar situatën në raportet Kosovë-Serbi.
Të hënën e 20 shtatorit autoritet kosovare nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.
Sipas këtij vendimi, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Serbët lokalë bllokuan dy rrugë nacionale që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.
Gjendja e krijuar në pjesën e Kosovës që banohet kryesisht nga serbët u bë temë diskutimi në takimin që e kishin sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken dhe përfaqësues të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.
Mësohet se Uashingtoni i dha përkrahje të plotë Brukselit në angazhimet e tij për të ulur tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe palët të ulen në tavolinën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë të enjten i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë takoi kryeministrin e Kosovës.
“Takim i mirë me kryeministrin Albin Kurti, mbi rëndësinë e ri-angazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE për zgjidhjen e targave dhe çështjeve të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, shkroi Nicholas J. Giacobbe, Jr në Twitter.
Ndërkohë angazhim të shtuar për t’i ulur tensionet dhe hapjen e mundësisë që të ketë një takim Prishtinë-Beograd po bën edhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ky ishte në Beograd dy ditët kritike të nisjes së zbatimit të reciprocitetit me targa nga Qeveria e Kosovës dhe nisja e bllokimit të rrugëve nga serbët si kundër reagim që po vazhdon tash e katër ditë.