Në takim para qytetarëve të pranishëm ka folur nënkryetari Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, si dhe drejtorët komunal, të cilët kanë shpalosur projekte dhe u janë përgjigjur pyetjeve dhe interesimeve të të pranishmëve.
Në fjalën e tij, nënkryetari Rexhep Kadriu ka thënë se Komuna e udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri është duke i servisuar borxhet e trashëguara nga ish-pushteti, duke shtuar se po bëjnë punë të mëdha në të gjitha sektoret tjera, për t’ua zgjidhur problemet qytetarëve.
Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi ka thënë se katërshja e madhe e prioriteteve infrastrukturore po realizohet gjithandej komunës së Gjilanit, ndërsa ka pohuar se edhe në Ponesh kanë bërë investime në aspektin e ndriçimit publike, sikurse edhe në asfaltim të rrugëve.
Ndërkaq, ka pasur shumë pyetje për përfaqësuesit komunal si: Sergjan Cveic, Ejup Byqmeti, Naim Shala, Millovan Stajic, Hysen Shala, Dragan Trajkovic etj., kryesisht lidhur me kërkesat për mbështetje në bujqësi, infrastrukturë, arsim e shëndetësi.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se mbështetja për Poneshin ka qenë maksimale në sektorin e bujqësisë, duke përmendur faktin se 48 fermerë të Poneshit kanë përfituar misër dhe pleh artificial, 4 të tjerë kanë përfituar shpërndarëse të plehut, dy të tjerë pajisje për bletari dhe përfitime tjera. Ai tha se qytetarët e kësaj pjese do të përfitojnë edhe nga programet tjera.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Sokol Haziri, tha se Komuna ka bërë ndriçimin publik fillestar në këtë fshat për dy komunitetet, ndërsa shtoi se zgjidhje do të bëjnë edhe për çështjen e ujit të pijshëm, pas memorandumit me qeverinë zvicerane.
Edhe sa i përket transportit të nxënësve, Haziri pohoi se do të bëhet një zgjidhje, por vetëm për familjet me gjendje të rëndë sociale.
Ndërsa, drejtori i Arsimit, Nazmi Musa, ka bërë apel tek prindërit që t’i dërgojnë nxënësit në shkollën e mesme të bujqësisë, për t’u profilizuar në degët e saj, meqë Poneshi dhe fshatrat përreth jetojnë kryesisht nga bujqësia.
Në fund, kryesuesja Bunjaku Rexhepi ka ftuar qytetarët e Poneshit në debatin publik me qytetarët do të mbahet më 17 qershor për buxhetin e Komunës së Gjilanit për vitin fiskal 2016 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2017-2018, në ora 11:00 në sallën e Kuvendit Komunal.