Lajmet e fundit

EX LIBRIS/ MARTHA GELLHORN & ERNEST HEMINGWAY
Në dritën e diellit, historia e një arratie të pandërprerë. Nga vetvetja, nga ai boshllëk që e thithte çdo herë që nuk arrinte të nisej, nga ai depresion që e priste çdo herë që ishte e shtrënguar të ndalej: “Nata e thellë e errët e shpirtit të udhëtarit”. Një arrati edhe nga ai dënim që kish zgjedhur një mbrëmje të fundit të dhjetorit të vitit 1936, kur ishte futur me të ëmën tek Sloppy Joe’s në Key West dhe e ulur në fund të sallës për të lexuar postën e saj kish parë “një burrë trashaluq, pis, me pantallona të shkurtra të bardha dhe këmisha të gjera e me rrudha”. Ernest Hemingway.
Ekzistojnë diktatorët e vetvetes: regjisorë të papërkulshëm të jetës së tyre, totalitaristë të shpirtit të tyre. Ka që arrijnë të kalërojnë një shekull duke planifikuar dashuri dhe zgjedhje personale e politike, duke i prerë me masë hyrjet dhe, më mirë akoma, daljet nga skena dhe duke i skontuar ato me një bërthame vetmie intoksikuese brenda. Si Martha Gellhorn. Vështirë të mos e imagjinosh sot në rrugët e Fallujah, të Najaf apo në hollin e Hotel Palestine në Bagdad, vështirë të mos e shikosh të kërkojë një vizë për Teheran, të mos e dëgjosh më në një prej intervistave të saj në BBC, me theksin e saj prej provincialeje elegante nga Saint Louis, Missouri, i njëjti i mikut T. S. Eliot: asnjëherë i ndryshkur nga vitet në krah të Hemingway kur në Ketchum, Idaho, prisnin për vizitë Gary Cooper e Robert Capa, kadencën e pastruar në New York gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur zbriste në Lombardi dhe darkonte me Harold Ross, drejtor legjendar i “New Yorker” (“një mërzi e tmerrshme”) dhe në bar përpiqej më kot që t’i qëndronte ritmit të Dorothy Parker (“8 gota martini në pak orë”). Një krahasim, sot? Ndoshta me Christiane Amanpour.
E sigurt, por tmerrësisht “unfair” përkundrejt chief correspondent të CNN-it, do të lëshonte Martha. “Sa na mungon Gellhorn dhe sa kemi nevojë për të!”, ka psherëtitur Neal Ascherson në faqet e “The Nation”. “E vështirë të mendosh që të mos mundësh ta lexosh nga Iraku, sytë e vegjël, e shkëlqyer në pantallona si ato të Sacks Fifth Avenue të luftës civile spanjolle. E dërguara e luftës më e madhe në gjuhën angleze e 60 viteve të fundit”. Ama pyet: “Nuk jam aspak i sigurt sesi do të kish menduar lidhur me konfliktin në Irak. Një rol të madh sigurisht që do të kish pasur përbuzja për George W. Bush dhe arroganca ushtarake e klikës së Pentagonit, për atë që kish fshikulluar Nixon, Kissinger e Reagan. Nga ana tjetër, solidariteti i saj shuhej përpara vuajtjeve të arabëve. Ishte totalisht e impenjuar për kauzën e Izraelit (deri në pikën sa të duartrokasë pushtimin e Libanit në vitin 1982), kish mbetur gjithmonë e shurdhër ndaj kauzës palestineze dhe do të kish mundur të justifikonte edhe politikën më jokonvencionale për ta çliruar botën nga Saddam Hussein”. Po: çfarë do të kish menduar dhe shkruar për 11 shtatorin – dhe pas 11 shtatorit – ajo, mike e Moshe Dayan dhe e Ariel Sharon gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve?
E gjatë, bionde, bija e gjinekologut të parë të Saint Louis, e ëma sufrazhiste e deklaruar, prindër me origjinë prusiane gjysmë hebrenj, e destinuar për të famshmin, por liberalin, Bryn Mawr College të Philadelphia (ku ndesh, pa simpati të veçantë, Katharine Hepburn), por e lirë pas dy vjetësh për t’i lënë studimet për të shkuar në Paris me 75 dollarë në xhep dhe një makinë shkrimi për t’ju kushtuar gazetarisë, mjaftueshmërisht jokonvencionale në xhaketat e saj me ngjyrë të hapura sipër pantallonave apo me bluzë dhe pantallona të shkurtra në frontet e të gjithë luftërave, nga Spanja në zbarkimin në Normandi, nga Vietnami në pushtimin amerikan të Panamasë kur tashmë kish mbushur të 81 vjeçët. Martha Gellhorn gjithmonë është ndjerë, imagjinuar dhe projektuar nga ana e drejtë e historisë. Një Leni Riefenstahl sëprapthi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: