Lajmet e fundit

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Bullgari, ministrja për Dialog, Edita Tahiri është pritur sot në Qeverinë e këtij shteti nga zëvendëskryeministri njëherit ministër i Punës dhe Politikave Sociale, Ivailo Kalfin si dhe në Parlamentin e Bullgarisë nga Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë dhe Integrime Evropiane, Dzhema Grozdanova, si dhe grupi i deputetëve i miqësisë Kosovë--Bullgari.
Në takimin mes Tahirit dhe zëvendëskryeministrit Kalfin u bisedua për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën ekonomike si dhe bashkëpunimin për integrimet euroatlantike.
Tahiri e falenderoi nikoqirin e takimit për mbështetjen që Bullgaria ia ka dhënë Kosovës në arritjen e marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe kërkoi që kjo mbështetje të bëhet edhe në avancimet tjera të Kosovës në integrimin evropian.
"Në mënyrë të veçantë ajo kërkoi mbështetje nga Bullgaria për çështjen e liberalizimit të vizave për të cilën Kosova i ka përmbushur obligimet, duke theksuar se vonesat e mëtejme nga Bashkimi Evropian janë të padrejta" bëhet e ditur në një kumtesë për media të Qeverisë së kosovës/
Nga ana e tij zëvendëskryeministri Ivailo Kalfin tha se Qeveria e tij çmon arritjet e Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa vlerësoi sukses të madh nënshkrimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe BE-së. Ai më tej tha se marrëdhëniet bilaterale i konsiderojnë tejet të rëndësishme dhe se përkrahja e Bullgarisë do të jetë e vazhdueshme për Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik. Po ashtu theksoi se janë të lumtur që Kosova është anëtare e barabartë në organizatat rajonale dhe kontributin që po e jep për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal. Ai tha se Bullgaria mbetet e përkushtuar që të këmbejë përvojat me Kosovën, në të gjitha fushat e rëndësishme të reformave.
Ndërkaq në Parlamentin e Bullgarisë biseda u përqendrua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me rritjen e bashkëpunimit në mes të parlamenteve përkatëse, transmeton Klan Kosova.