Lajmet e fundit

Pas kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, para Komisionit të Sigurisë raportoi edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, i cili e mohoi kategorikisht disponimin nga Policia e Shtetit të një pajisje përgjimi.
“Nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pajisje përgjimi. Policia e Shtetit po bën të gjitha përpjekjet e saj për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë qytetarëve të saj një standard të ri sigurie. Jam shumë i gatshëm të pres përgjigjen e prokurorisë në lidhje mbi këtë çështje, ndërsa kam vënë në dispozicion gjithçka për hetimin e Prokurorisë. Ka një program trajnimesh për të përgatitur efektivët e policisë dhe eksperienca me partnerët ndërkombëtarë është ndihma më e madhe që mund të na japin”, tha Tahiri.
Më pas, Tahiri tha se policia disponon një pajisje trajnuese, por që nuk shërben për përgjim.
“Kam thënë që policia disponon një pajisje që funksioni i saj dihet, e cila është në pronë dhe disponim nga partnerët italianë. Ne nuk kemi mundësi të kemi një pajisje të tillë përgjigje. Unë kam thënë se është një pajisje për synim trajnimi, por që nuk bën përgjim. Pajisja ka ardhur në vitin 2007, pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Bujar Nishani. Marrëveshje për mundësi trajnimesh dhe forcim kapacitetesh. Ka ndodhur shumë herë përpara se të vija unë në detyrë që policia italiane të ketë ndihmuar policinë shqiptare. Ka ndodhur dhe do të ndodhë, pasi na duhet profesionalizëm. Pajisja përdoret për një lloj trajnimi që i bën mirë policisë, por unë nuk mund të flas për teknikën e trajnimit”, shtoi ai, raporton Top Channel, përcjellë Klan Kosova.