Lajmet e fundit

Definimi i kufijve administrativë ndërmjet dy komunave të jugut dhe veriut të Mitrovicës tashmë është shndërruar në temë ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ditët e fundit ka kërkuar që definimi i kufijve të bëhet sipas Statutit të Komunës Veriore.
Sipas tij, Kroi i Vitakut i takon Komunës Veriore, ndërsa për pjesën e Suhadollit ka thënë se duhet gjetur një zgjidhje.
“Plani i Ahtisarit nuk është letër e shenjtë dhe ai duhet të ndryshohet varësisht prej situatës në terren”, ka deklaruar Rakiqi.
Ai ka bërë me dije se nuk do ta përkrahin as memorandumin në mes të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe dy kryetarëve të komunave, i cili do ta konfirmojë planin rregullativ komunal.
Sa i takon përcaktimit të vijave administrative në mes të dy komunave, të Mitrovicës Veriore dhe të Mitrovicës Jugore, ka folur për “Epokën e re” ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Ajo ka thënë të hënën se deklarata e kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, për një Mitrovicë të madhe, nuk duhet të merret si provokim meqë, sipas saj, ai është i njohur për deklarime të tillë joracionale.
Tahiri i ka bërë thirrje Rakiqit të mos merret me politika që nuk i ndihmojnë atij dhe komunës që ai e drejton, por të merret me problemet e qytetarëve.
“Nuk do ta kisha marr si provokim sepse z. Goran Rakiqi është i njohur për deklarata joracionale, mirëpo ai si kryetar komune është i obliguar t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dhe një kryetar komune duhet të punojë për zhvillimin e qytetit, të japë shërbime të mira për qytetarët, ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit të Kosovës, si dhe mos të merret me politika që nuk i ndihmojnë as atij e as komunës të cilën e drejton”, ka deklaruar Tahiri.
Në këtë drejtim ajo ka thënë se Mitrovica e bashkuar është në rrugë e sipër për faktin se ka filluar rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër dhe heqja e barrikadës së kamotshme.
“Sa i takon përcaktimit të vijave administrative në mes të dy komunave, të Mitrovicës Veriore dhe të Mitrovicës Jugore, ato janë përcaktuar me Ligjin për vijat administrative të komunave të Republikës së Kosovës si dhe Planin e Ahtisarit dhe kjo vijë kufitare në mes të dy komunave është mbi lumin Ibër. Po ashtu, do të nënshkruhet edhe memorandumi në mes të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe dy kryetarëve të komunave në mënyrë që të konfirmohet plani rregullativ komunal”, ka theksuar Tahiri, duke shtuar se Mitrovica e bashkuar së shpejti do ta ketë edhe bordin e përbashkët të dy komunave për çështjet menaxheriale që është paraparë me planin e Ahtisarit.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është shprehur e kënaqur me dinamikën e punimeve për zhbllokimin e urës mbi lumin Ibër, duke thënë se nga qershori i vitit të ardhshëm ajo do të jetë urë e bashkimit.
“Kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian. BE-ja është kompetente për ta rivitalizuar urën. Ky proces pritet të përfundojë në qershorin e vitit të ardhshëm, kur më në fund kjo urë do të jetë urë e lëvizjes së lirë për të gjithë. Gjithashtu, me këtë i jepet fund një historie të ndarjes sepse ajo do të jetë një urë e bashkimit të qytetit si çdo urë tjetër në botë. Natyrisht se BE-ja e ka planin e vet dinamik për rivitalizimin e urës dhe e ka parasysh afatin kohor dhe punimet janë duke u zhvilluar sipas këtij plani”, ka deklaruar Tahiri./Epokaere/.