Lajmet e fundit
Edita Tahiri: Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përmes angazhimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën po e dëshmon edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.

Ministria për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, në një vizitë të saj me përfaqësues të lartë të shteti gjerman, në Gjermani, ka thënë se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe në vazhdimësi angazhohet për raporte të mirë ndërfqinjësore, transmeton Klan Kosova.
“Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përmes angazhimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën po e dëshmon edhe në kuadër të dialogut të Brukselit”.
Tahiri zhvilloi takim me përfaqësues të qeverisë së Gjermanisë, përkatësisht me ministrin e Shtetit për Evropën z. Michael Roth dhe me Dr. Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s.
Ajo e njohu Michael Roth me reformat e thella të Republikës së Kosovës në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik të vendit si prioritete kryesore për forcimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike.
Tahiri po ashtu theksoi se “nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociim dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhin shpejtë për të siguruar Kosovën dhe popullin e saj se rruga e tyre për BE është e qartë dhe e sigurt”.
Kurse Ministri gjerman Roth tha se Gjermania është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike.
Ai vlerësoi procesin e reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të shtetit, kurse theksoi se Gjermania mbështet dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë.