Lajmet e fundit

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka takuar sot një delegacion të ministrisë Federale të Gjermanisë për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë,
Temë qendrore e bisedimeve ishte zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe interesimi i Gjermanisë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Tahiri në këtë takim vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Gjermanisë duke thënë se potencialet e pasura ekonomike të Kosovës dhe kapitali njerëzor me një rini të shkolluar mund të jenë bazë e mirë për investime gjermane në Kosovë.
Ministrja për Dialogun theksoi gjithashtu se Kosova si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon po angazhohet për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal në kuadër të dialogut të Brukselit duke bërë po ashtu normalizimin e gjendjes në veri të vendit, dhe për avancimin e rrugës për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërsa diplomati gjerman potencoi se Gjermania është e përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe mbështet rrugën e Kosovës në integrimin në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike.
Ai tha gjithashtu se vendi i tij mbështet dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe vlerëson rëndësinë e përparimeve të mëtejme që duhet të ndodhin në këtë proces me qëllim përfundimtar që të dyja shtetet të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, transmeton Klan Kosova.