Lajmet e fundit

Të paktën edhe për 5 muaj, serbët e Kosovës nuk do të paguajnë rrymë fare.
Shpenzimet e energjisë elektrike që shfrytëzohet në komunat veriore vazhdojnë të mbulohen nga shqiptarët, dhe kësaj praktike ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog vlerëson se duhet t’i gjendet një zgjidhje sa më parë.
Szunyog gjatë një vizite në Mitrovicën Veriore tha se me të gjitha palët po punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme, ashtu që serbët t’i kryejnë vetë obligimet e tyre ndaj shtetit.
“Sa i përket energjisë elektrike mendoj që është mirë të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme sa më parë të jetë e mundur, e cila në njërën anë do të siguronte furnizim të qëndrueshëm dhe në anën tjetër të paguhet për të sepse kjo është diçka krejt normale për njerëzit që t’i përmbushin obligimet tatimore.” – ka thënë shefi i misionit diplomatik të BE-së.
Por kur Szunyog pyetet për dokumentin e publikuar i cili pretendon se BE ka kërkuar nga qeveria të mos e dërgojë policinë në veri për çështjen e rrymës, në konferencë shfaqet Goran Rakiq. Kreu i listës serbe që është edhe ministër për komunitete dhe kthim nuk i jep hapësirë shefit të misionit evropian të përgjigjet me vërtetësinë e saj, e madje vlerëson se s’është fare vendi për një temë të tillë.
Për rrymë jo, por mbeturinat e bënë të flasë ca fjalë ministrin për komunitete dhe kthim, duke qenë se Bashkimi Evropian dhuroi të hënën donacion prej 700 mijë eurosh për pastrimin në veri.
“Para katër vitesh kemi filluar një bashkëpunim, rezultati i të cilit sot është i dukshëm. Pikërisht këtu prapa nesh kemi 8 kamionë të ri për mbledhjen e mbeturinave dhe kjo nuk është e tëra. Shpresoj se javët ose muajt në vijim do të hapim deponinë regjionale e cila përgjithmonë, respektivisht për dekada të tëra do ta zgjidhë problemin e trajtimit të mbeturinave në veri.”
Se do të bëjnë më tepër për komunitetin serb në veri lidhur me mjedisin e thotë edhe ambasadori Szunyog sipas së cilit BE është e angazhuar ta hapë edhe deponinë e mbeturinave në Zveçan, e tashmë kanë shpërndarë edhe mbi 880 kontejnerë për grumbullimin e tyre.