Lajmet e fundit

Partia e ish kryeministrit Alexis Tsipras, Syriza, duket se është fituesja e zgjedhjeve të sotme parlamentare në Greqi. Rezultatet e para u japin radikaleve të majtë 32-36% të votave. Pas tyre renditet Demokracia e Re me 28-32% dhe në vend të tretë neonazistët e Agimit të Artë me 6-8 % të votave.
Deri në orën 20:18 janë numëruar 38.42% e votave, ku Syriza kryeson me 35.46% të votave, ndërsa Demokracia e Re ka marrë 28.08% të votave. Partia e tretë me 7.15% të votave është Agimi i Artë.
Pas daljes së rezultateve të para zyrtare, ish-Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka shkuar në selinë e partisë së tij, ku është pritur me duartrokitje për këtë fitore, e cila tashmë duket e sigurt, meqenëse diferenca është më e madhe se 4% mes Syrizas dhe Demokracisë së Re.
Qendrat e votimit u hapën që prej orës 6 të mëngjesit (7 me orën greke), ndërsa pjesëmarrja në votime ishte 54.43%.
“Jam optimist se nesër fillon një ditë e re, një ditë që mund ta fitojmë që sot. Vështirësitë do të kapërcehen me hapa të qëndrueshëm, të vetëdijshëm për rrugën që duhet të bëjmë përpara. Jam optimist, që ne mund të ecim përpara, duke hapur rrugë të reja, e kemi vërtetuar se mund të hapim rrugë të reja edhe aty ku nuk ekzistojnë. Kur populli ynë është në vijën e parë, brezi i ri gjithashtu, atëherë gjithçka është e mundur”, ka thënë ish-kryeministri Tsipras pasi hodhi votën në kutinë e votimit.
Zgjedhjet u vëzhguan me interes të madh nga jashtë Greqisë, sepse fituesi i tyre duhet të sigurojë ndërmarrjen e reformave të thella ekonomike, të domosdoshme për ndihmën prej 86 miliardë eurosh, që Tsipras u detyrua të nënshkruante në gusht me partnerët e Athinës nga Eurozona.
Qeveria e re do të duhet të kryejë edhe rikapitalizimin e bankave të vendit dhe të vijojë me kontrollin e kapitalit të vendosur gjatë qershorit, në mënyrë që të shmanget një kolaps i sistemit financiar të vendit. Si Syriza, edhe “Demokracia e Re” janë angazhuar se do t’i ndërmarrin këto hapa, por dallimi mes tyre është te përmasat e këtyre reformave, ku më kryesorja është ajo e punësimit.
Kjo votë e kësaj të diele shënon herën e tretë brenda këtij viti që grekët detyrohen të shkojnë në qendrat e votimit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të janarit, që sollën Tsiprasin në pushtet, si dhe referendumit të korrikut, për të pranuar ose jo marrëveshjen e re të shpëtimit dhe masat shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian./Top Channel.