Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Azem Syla, ka reaguar ndaj lajmit se Ndërmarrja Publike Banesore ka ngritur padi ndaj tij për uzurpim, njofton Klan Kosova.
Në reagim, ai ka bërë me dije se është interesuar personalisht dhe ka vërtetuar se personi i paditur, është një person që e ka emrin dhe mbiemrin e ngjashëm me të, por ka vendbanim, vendlindje dhe numër personal tjetër.
Në fakt, të gjitha lajmet e publikuara lidhur me këtë rast, i referohen kronikës së Klan Kosovës të datës 09.04.16.
Aty, zyrtarët e NPB-së i kanë ofruar televizionit listën me emrat e uzurpuesve të paditur.
Në mesin e tyre është edhe një person me emër e mbiemër, Azem Syla, i cili banon në objektin numër 39, banesën numër 3, në katin e parë, në lagjen Kodra e Diellit.
E pas interesimit të Klanit, deputeti Syla vetë e ka konfirmuar në bisedë telefonike se banon në njërën nga banesat që raportohen të uzurpuara.
Ai madje, në dy raste, ka premtuar të flas edhe para kamerës lidhur me pronësinë mbi banesën, mirëpo, në ditët në vijim ai më nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Klan Kosovës.
klankosova.tv