Lajmet e fundit

Dita e sotme e cila quhet "Super e marta" konsiderohet si dita më e rëndësishme për garën për president të SHBA-ve, transmeton Klan Kosova.
Votuesit në 11 shtete të SHBA-së votojnë sot në zgjedhjet paraprake, të cilat janë pothuajse vendimtare në përcaktimin e kandidatëve presidencialë të Partisë Demokratike dhe asaj Republikane.
Demokratët zgjedhin midis Hillary Clinton dhe senatorit Bernie Sanders në 11 shtete: Alabama, Arkansas, Kolorado, Xhorxhia, Masaçusec, Minesota, Oklahoma, Tenezi, Teksas, Vermont dhe Virxhina.
Ndërkaq Republikanët do të zgjedhin midis pesë kandidatëve të mbetur në shtetet e lartpërmendura, plus Alaska dhe Uajoming.
Sondazhet e opinionit tregonjnë se republikani Donald Trump do të fitojë në të gjitha shtetet, pos në Teksas, vendlindjen e rivalit të tij, senatorit Ted Cruz.
Senatori Marco Rubio, nga Florida, shihet si rivali më i afërt i Trumpit në shumicën e zgjedhjeve të sotme paraprake.
Pas këtyre votimeve, një e treta e shteteve do t’i kenë mbaruar zgjedhjet paraprake për president.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 8 nëntor. Fituesi do të pasojë presidentin aktual, Barack Obama, i cili ka shërbyer dy mandate.
Kjo ditë është e rëndësishme sidomos për republikanët për shkak se kandidati i tyre Donald Trump ka fituar më parë në tre shtete dhe rezulton të jetë favorit në 10 shtete tjera.
Donald Trump udhëheq mes kandidatëve republikanë ndërsa Hilary Clinton është e favorizuara në garën demokratike.
Trump nuk rezulton i pari vetëm në sondazhet për shtetin e Teksasit, ku Senatori Ted Cruz shpreson të fitojë sa më shumë vota të bashkëvendasve të tij.
Në garën demokrate, një sondazh i kryer nga CNN/ORC tregoi dje se ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, po zgjeron avantazhin e saj ndaj Senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, me 55% ndaj 38%.
Clinton gjithashtu kryeson me diferencë të madhe edhe në numrin e delegatëve që ka fituar deri tani.
Si republikanët, ashtu edhe demokratët do të emërojnë zyrtarisht kandidatin e tyre në konventat e muajit korrik, por kandidati më i favorizuar ka shansin ta fitojë fushatën më herët, duke mbledhur delegatë të mjaftueshëm për zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.
Gjatë ditës së djeshme, republikanët e përqëndruan fushatën në jug të SHBA-së, nga ku pritet të dalin dy të tretat e delegatëve të votimit të sotshëm. Zoti Trump mbajti tubime në Virginia dhe në Georgia, ndërsa zoti Rubio bëri fushatë në Arkansas. Zoti Cruz i përqëndroi përpjekjet në shtetin e tij, Teksas, nga ku do të dalin 155 delegatë.
Clinton, tashmë pothuajse e pozicionuar për një përballje të ardhshme me zotin Trump, ka filluar ta sulmojë atë dhe kandidatët e tjerë republikanë, duke lënë mënjanë rivalin e saj Bernie Sanders.
Clinton u tha votuesve dje në Massachusetts se “nuk mund të lejojmë viktimizimin dhe fajësimin, që po ndodh në kampin republikan. Kjo dëmton vetë thelbin e kombit tonë. Prandaj, do të bëj çfarë të mundem gjatë kësaj fushate për ta ndryshuar kursin.”