Lajmet e fundit

Përdorimi i substancave narkotike te të rinjtë shihet si një fenomen mjaft shqetësues. Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, thonë se mosha mesatare e fillimit të abuzimit me narkotikë ka rënë në 12 vjeç.
Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike vlerësojnë se janë rreth 5 mijë përdorues aktivë të këtyre substancave në Kosovë, derisa shtojnë se në tërësi janë rreth 25 mijë përdorues.
Statistikat e autoriteteve të rendit flasin se vetëm gjatë periudhës janar-prill 2016, Policia e Kosovës ka trajtuar mbi 218 raste, ku të përfshirë kanë qenë mbi 300 persona të dyshuar, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 180 kilogramë marihuanë, mbi 10 gramë heroinë, pastaj edhe një sasi e kokainës. Si rezultat i operacioneve policore gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 250 persona të dyshuar.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri te shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që është shqetësuese.
Ato konsiderojnë se mungesa e një koordinimi të duhur të shumë mekanizmave institucionalë, bën që kjo çështje të mos parandalohet.