Gati 150 infeksione serioze që nuk reaguan ndaj antibiotikëve ndodhën në ditë vitin e kaluar në Angli, ndërsa ekspertët paralajmëruan se “tashmë po shohim rezistencën të shfaqet” edhe ndaj barnave më të reja.
Infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve po “vrasin mijëra njerëz” në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit dhe nuk është një problem që “mund ta injorojmë”, thanë zyrtarët shëndetësorë, raporton “SkyNews”, transmeton Klankosova.tv.
Shifrat nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) treguan se kishte një mesatare prej 148 infeksionesh të rënda rezistente ndaj antibiotikëve në ditë në vitin 2021, me 2.2% më shumë se vitin e kaluar pandemik (53,985, një ngritje nga 52,842).
Numri i përgjithshëm i infeksioneve ishte ende më poshtë se nivelet para pandemisë, por UKHSA tha se kjo ishte nxitur nga gjëra të tilla si ulja e përzierjeve sociale dhe larja e shpeshtë e duarve.
Përdorimi i antibiotikëve – të cilët ndihmojnë në rritjen e rezistencës antimikrobike (AMR) – gjithashtu ra me 15% midis 2017 dhe 2021.
AMR ndodh kur bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët ndryshojnë dhe nuk reagojnë më ndaj ilaçeve – përfshirë antibiotikët – që janë krijuar për t’i trajtuar ato.
Kjo i bën sëmundjet shumë të vështira për t’u trajtuar dhe rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje.
Rezistenca ndaj antibiotikëve ndodh natyrshëm, por përdorimi i tepërt i antibiotikëve mund ta përshpejtojë procesin.
Profesoresha Dame Jenny Harries, shefi ekzekutiv i UKHSA-së, tha: “Rezistenca ndaj antibiotikëve nuk është një problem i largët që ne mund ta injorojmë”.
“Infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve po vrasin mijëra njerëz çdo vit në këtë vend dhe në mbarë botën, si dhe kanë një ndikim të madh ekonomik”.
"Ndërsa dalim nga pandemia COVID-19, ky është një moment kyç për të mbajtur fokusin në ‘pandeminë e heshtur’ të rezistencës ndaj antibiotikëve”, u shpreh ajo, shkruan “Klan Kosova”.
Profesoresha Susan Hopkins, këshilltare kryesore mjekësore në UKHSA, tha: “Po shohim tashmë shfaqjen e rezistencës ndaj antibiotikëve tanë më të rinj – inovacioni për të gjetur trajtime të reja do të ketë sukses vetëm nëse përdorim me përgjegjësi atë që kemi në dispozicion”.
“Përdorimi i tepruar i antibiotikëve do të thotë se ata do të ndalojnë së funksionuari kundër kushteve kërcënuese për jetën, siç është infeksioni i përgjithshëm (sepsisi)”.
“Antibiotikët nuk do të ndihmojnë në simptomat e ftohjes, gripit ose COVID-19 – ju lutemi besoni mjekut tuaj, merrni antibiotikë vetëm siç ju rekomandohet, mos i ndani kurrë me të tjerët dhe mos i ruani për më vonë”.
“Marrja e antibiotikëve kur nuk keni nevojë për to, ju rrezikon juve dhe të dashurit tuaj që të keni një infeksion të pashërueshëm në të ardhmen”. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.