Lajmet e fundit

Përmes një komunikate për media, studentët e Universitetit të Prishtinës dega në Gjilan, kanë shprehur shqetësimin e tyre për afatin e caktuar nga rektorati për aplikim në master.
Në njoftim thuhet se data fillestare për t’i proceduar dokumentacionet për vitin e të studimeve master është 11 shtatori, ndërsa koha e fundit për dorëzimin e aplikacioneve është data 18 e këtij muaji.
Studentët e kanë quajtur arbitrar vendimin e rektoratit si dhe tendencioz.
Ata konsiderojnë se kjo është e dëmshme për studentët të cilët duhet t’iu nënshtrohen provimeve në afatin e rregullt të shtatorit, si dhe për ata që duhet t’i ndjekin procedurat e diplomimit, kusht për aplikim në master.
“Ne studentët e UP-së qendra në Gjilan, kemi vetëm një kërkesë : të mos na shkelen të drejtat tona. Nëpërmjet kësaj komunikate i bëjmë thirrje rektoratit të mos na diskriminojë dhe ta ndryshojë këtë afat rrënjësisht”, thuhet në komunikatë.