Lajmet e fundit

Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Edukimit ka mbajtur një marsh protestues për mospërfshirjen në konkurs të bursave dhe për vendimin e Senatit për afatin e nëntorit.
Ata kanë marshuar drejt MASHT-it dhe Rektoratit të UP-së për të kërkuar anulimin e dy vendimeve të fundit të cilat sipas tyre janë në dëm të studentëve të këtij fakulteti, njofton Klan Kosova.
Disa nga studentët po e konsiderojnë fyerje mosdhënien e bursave mësuesve të ardhshëm.
Ervin Hoxha, student i Master në Fakultetin e Edukimit tha se po ju shkelen të drejtat e tyre si studentë.
“Neve na është shkelë rëndë e drejta e studenteve. Sikur bursat të ishin dhënë nga fakultetet përkatëse është në rregull, por ato jepen nga Ministria e Arsimit. Ne kemi nënshkruar peticion kundër këtij vendimi, por vetë ministri nuk na është përgjigjur. Këshilltari i tij ka thënë se i kemi pasë parasysh fakultetet tjera që s’kanë pasë bursa”.
Kërkojmë që të anulojnë vendimet shkatërruese që janë në dëm të vendit dhe të studenteve.
Ndërkaq, kryetarja e Këshillit Studentor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, Qëndresa Ramabaja, tha se pikërisht ata që do ta përfaqësojnë Kosovën nuk po motivohen për këtë gjë.
“Kemi marrë këtë vendim që të bëjmë një protestë paqësore sepse është fyerje për ne studentët e sportit të mos jemi të përfshirë në bursa. Kjo është demotivim për studentë që nuk na ofrohet as një bursë që të vazhdojmë të përfaqësojmë Kosovën”.
Studentët mbanin pankarta në duar si “Stop diskriminimit”, “Jo vendime selektive”, “Arsimi i fëmijëve tuaj varet nga ne” e të tjera.