Lajmet e fundit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë sqarime lidhur me basistjet e shtëpive të kosovarëve të përfshirë në luftimet e Kumanovës.
Përmes një kumtese për media, kjo prokurori thotë se është në fazën hetimore në një rast, në të cilin janë kryer bastisje nga Policia e Kosovës, më 15 maj 2015, kundër disa personave të dyshuar.
“Veprimet e para hetimore, në këtë rast, kanë filluar para se të ndodhin ngjarjet e fundit në Maqedoni, për shkak të dyshimeve se disa persona kanë planifikuar kryerjen e disa veprave penale në vendin tonë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pasi që për këtë rast, ka pranuar kërkesë së bashku me prova nga Policia e Kosovës i është drejtuar gjykatës kompetente me kërkesë për lëshimin e urdhrit për kontroll”, thuhet në kumtesën e këtij institucioni.
Më tej në njoftim thuhet se për sqarim të opinionit, në këtë rast mund të jenë të dyshuar persona të njëjtë, të cilët sipas informatave që Prokuroria i ka pranuar nga mediat, mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarjet e ndodhura në Maqedoni.
Sipas prokurorisë , ky veprim hetimor, i bazuar në ligj, është ndërmarrë duke vlerësuar rëndësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e çfarëdo lloji të kryerjes së veprave penale.