Lajmet e fundit

Presidenca e Kosovës ka lëshuar një sqarim për media karshi intervistës se Presidentes Atifete Jahjaga në televizionin gjerman ZDF, e cila u cilësua si incident, pasi që Jahjaga nuk kishte koordinim të mirë me intervistuesen.
Nga Zyra e Presidentes shprehen të habitur me reagimin e mediave kosovare dhe trajtimin që i bënë rastit.
Ky është sqarimi i plotë i Presidencës:
Zyra e Presidentes shpreh habinë dhe shqetësimin e saj me mënyrën e trajtimit që i është bërë Presidentes në një numër mediash pas kësaj interviste.
Intervista për televizionin gjerman ZDF është zhvilluar nga studiot e RTK-së në Prishtinë, përmes videolinkut. Gjithashtu intervista është zhvilluar me përkthyes simultan nga gjermanishtja në anglishte, drejtpërdrejt nga studiot e ZDF-së dhe Presidentja Jahjaga gjatë gjithë kohës ka dëgjuar vetëm përkthyesin dhe jo moderatorin.
Ne asnjë moment Presidentja Jahjaga nuk ka pasur mundësi të dëgjojë intervenimet e moderatores, që pyetjet i ka bërë në gjuhën gjermane, por ka dëgjuar vetëm përkthyesin nga gjermanishtja në anglishte.
Ne këto kushte dhe me mënyrën si është zhvilluar biseda Presidentja nuk ka pasur mundësi të dëgjojë pyetjet shtesë të parashtruara nga moderatorja e ZDF.
Presidentja Jahjaga ka vepruar ne respektim të medias së cilës ka pranuar t’i japë intervistën dhe nuk e ka injoruar në asnjë moment as moderatoren dhe as median e saj.
Çështjet teknike, të parregulluara dhe plotësisht të papërshtatshme për një intervistë të tillë, janë lëshim i organizatorit dhe jo tendencë për shpërfillje e Presidentes.
Zyra e Presidentes shpreh habinë dhe shqetësimin e saj me mënyrën e trajtimit pas transmetimit të kësaj interviste, pa marrë asnjë sqarim të mëtejmë për mënyrën e zhvillimit të saj dhe gjithashtu në trajtimin që i është bërë Presidentes së Republikës së Kosovës në një numër mediash.