Lajmet e fundit

Disa muaj kur marrëveshja mes QKUK-së dhe Spitalit të Mitrovicës për “huazimin” e kuadrove nga Prishtina është prishur, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, e ka vizituar Spitalin e Mitrovicës.
Drejtori i këtij Spitali, Mirdi Strana, ka thënë për “Zërin” se e ka njoftuar ministrin ndër të tjera edhe për prishjen e marrëveshjes me QKUK-në dhe problemet që ka ky spital me mungesën e stafit mjekësor.
“Ende nuk është stabilizuar spitali me kuadro”, ka thënë ai.
Sipas tij, stafi i Spitalit të Vushtrrisë, që është në renovim e sipër, është duke mbajtur Kirurgjinë dhe Gjinekologjinë e Spitalit të Mitrovicës.
Ai ka thënë se kanë pranuar staf, por ai nuk ka qenë i mjaftueshëm për të plotësuar numrin e kuadrove që janë të nevojshëm për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Mitrovicës.
“Po presim që të plotësohet ky numër”, ka thënë Strana. Fushat më të ndjeshme, sipas tij, janë anesteziologjia, kirurgjia dhe urologjia. Aktualisht Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës, sipas tij, ka vetëm dy anesteziologë dhe gjashtë kirurgë.