Lajmet e fundit

Menaxhmenti i SHSKUK-së po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të futur në funksion ortopedinë në Spitalin e Gjakovës, por edhe për të mbuluar me kuadro anestezioni këtë spital, pas revokimit të licencave të dy ortopedëve dhe dy anesteziologëve.
Spitali i Gjakovës është detyruar të mbyllë shërbimin e ortopedisë, pas marrjes së licencave për gjashtë dhe tre muaj, dy ortopedëve të këtij reparti, Selajdin Boshnjakut dhe Fisnik Vulës.
Kjo, pasi Spitali nuk ka kuadro të mjaftueshme për ta mbajtur shërbimin. Sipas drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, Bordi Etik Profesional i Ministrisë së Shëndetësisë është dashur të ketë parasysh këtë rrethanë para se t’ua marrë licencat mjekëve.
“Ne kemi vetëm 3 ortopedë dhe jemi rajoni më i largët nga Prishtina”, ka thënë për “Zërin” drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, shkruan gazeta Zëri.
Ai ka thënë se ia ka shpjeguar edhe ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, se me marrjen e licencës dhe suspendimit të dy doktorëve të ortopedisë rrezikon mbyllja e spitalit. “Nëse dalin dy ortopedë mshelet ortopedia”, kishte njoftuar Asllani, ministrin Rrahmani.
Boshnjakut dhe Vulës i janë marrë licencat pasi që gjatë një ndërhyrje operative te një paciente 82-vjeçare, kanë operuar gabimisht këmbën e djathtë në vend të së majtës.