Lajmet e fundit

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, si dhe ministrin e drejtësisë Selim Selimi, kanë takuar përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e nënave”, nga Gjakova.
Në takim u diskutua për Ligjin për të pagjeturit, i cili nga të pranishmit në takim u konsiderua i domosdoshëm, njofton Klan Kosova.
Osmani kërkoi që procesi i hartimit të Ligjit për të pagjeturit të finalizohet në një periudhë të afërt dhe i njëjti të miratohet në Kuvend.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Osmani ka kërkuar koordinim ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që në tekstin final të këtij Ligji të përfshihen edhe rekomandimet e organizatës “Thirrjet e nënave” dhe organizatave të ngjashme që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve.
Ndërkaq ministri i drejtësisë, Selim Selimi shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ky Ligj të miratohet sa më parë dhe i njëjti të procedohet për miratim në Kuvend.