Aktgjykimi ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin “Pronto”, pritet tw shpallet sot.
Kjo datë për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast është caktuar pasi që të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar gjykimi, ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, shkruan Betimi për Drejtësi, transmeton Klan Kosova.
Në këtë rast për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, po akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.
Pasi kanë përfunduar fjalët e tyre përfundimtare Adem Grabovci, Besim Beqaj,, Nijazi Kryeziu së bashku me mbrojtësit e tyre, në seancën e së hënës fjalën përfundimtare e kanë dhënë edhe gjashtë të akuzuarit e fundit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gzim Kollqaku ka thënë se të gjitha provat të cilat ishin administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin vërtetuar se aktakuza ishte ngritur me prova të papranueshme, të cilat sipas tij, nuk ishin dashur të futen në këtë aktakuzë.
Ai tha se sikurse prokuroria të kishte pasur prova të tjera, mund të kishte dhënë një tjetër kualifikim juridik nga kapitulli i shkeljeve të marrëdhënieve të punës dhe sipas tij, i vetmi veprim që e kishte bërë i mbrojturi i tij ishte formimi i një komisioni të cilin edhe sipas detyrës zyrtare kishte qenë i obliguar që ta formonte.
Prandaj në mungesë të provave, ai ka kërkuar nga trupi gjykues aktgjykim lirues për Ilhami Gashin.
Ndërsa, i akuzuari Gashi ka thënë se bisedat mes tij dhe të akuzuarit Grabovci kishin qenë shoqërore.
klankosova.tv