Lajmet e fundit

Mbi 1 mijë fëmijë të lindur në vitin 2008, vitin e pavarësisë së Kosovës, do të vrapojnë sot në sheshin "Skëndërbeu" të Prishtinëë në shënim të Ditës Olimpike, që organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sportive, Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës dhe federata të ndryshme.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje Ramadan Selimi, kryetar i Komisionit Organizativ tha se të gjitha përgatitjet për shënimin e kësaj dite janë bërë.
Ai njoftoi se Dita Olimpike po mbahet pikërisht në datën kur edhe ishte themeluar Komiteti Olimpik i Kosovës, më 27 maj 1992.
“Ne kemi dashur që në këtë ditë të vrapojnë fëmijët e pavarësisë, në mënyrë që ta lidhim këtë ditë me shpalljen e pavarësisë dhe të japim mesazhin tek fëmijët që të vrapojnë dhe merren me sport gjithë jetën”, tha ai.
Për organizimin e kësaj ngjarjeje ka ndihmuar edhe profesori i sportit nga Tirana, Petrit Qendro. Ai tha se është i nderuar që ka rastin të ndihmojë në organizimin e kësaj dite, aq më tepër që po bëhet me fëmijët që mund të jenë nesër sportistë të mëdhenj, transmeton Klan Kosova.