Lajmet e fundit

Pas debatit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila do të zhvillohet të martën, subjektet opozitare do të rekomandojnë që të ndryshohet Ligji për FSK-në, në mënyrë që vendi të bëhet me ushtri.
Kjo pasi sipas opozitarëve nuk mund të pritet deri në pafundësi Lista Serbe për ta ndryshuar emrin e FSK-së në Forca të Armatosura.
Në anën tjetër, pushteti kërkon unitet të spektrit politik në vend për këtë çështje dhe që veprimet në këtë drejtim të merren në koordinim me NATO-n.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj, i cili ka parashtruar kërkesën për debat, ka thënë se debati për FSK-në është kërkuar me qëllim që të dihen qëndrimet e deputetëve për çështjen e ushtrisë.
Ai më tej ka thënë se nuk mund të pritet deri në pafundësi për votat e Listës Serbe për bërjen e ushtrisë.
“Fatkeqësisht Lista Serbe e ka komandën në Beograd dhe jemi të vetëdijshëm edhe si popull, edhe si deputetë se ata nuk e kanë vullnetin, të paktën momentalisht, për t’i dhënë mbështetje transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura. Por nuk mund të presim deri në pafundësi që Lista Serbe të ketë qëndrim ‘për’. Ne duhet që të gjejmë një formë që t’i krijojmë kapacitetet e nevojshme deri në rrethana kur edhe vetë serbët do të kuptojnë që kjo është në të mirën e tyre”, ka potencuar Haradinaj.
Edhe anëtari tjetër i këtij Komisioni, Zafir Berisha, ka thënë se pret që pas debatit unanimisht të propozohet procedimi i ligjeve për FSK-në në mënyrë që kësaj të fundit t’i ndryshohet mandati.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri.