Lajmet e fundit

Komisioni Evropian sot pritet që të publikojë progres-raportin për Shqipërinë për ecurinë e reformave për Integrimin në Bashkimin Europian.
Disa ditë më parë, KE shtyu publikimin e raportit nga data e përcaktuar për shkaqe që nuk dihen. Raporti do të prezantohet nga Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn para deputetëve të Parlamentit Evropian.
Pas zhvillimeve në Bruksel, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 18:00.
Siç raportuam edhe një ditë më parë, Syri.net mëson se raporti do të ketë kritika të forta për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ku refren është mosdënimi i zyrtarëve të lartë.
Ky raport do të publikohet gjithashtu në një kohë që përkon me një klimë jo të qetë politike në vend. Dje dorëzoi dorëheqjen nga posti i ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, dhe në vend të tij u emërua Ylli Manjani po nga radhët e LSI. Syri.net ka mundur të mësojë gjithashtu se pritet që të ketë edhe dorëheqje të tjera nga radhët e Qeverisë orët në vazhdim.