Lajmet e fundit

Sot do të zhvillohet në Shkodër seanca e parë gjyqësore ndaj vrasësit të dy turistëve çekë në Prekal të Dukagjinit.
20-vjeçari Sokol Mjacaj pritet të tregojë të tjera detaje rreth ekzekutimit të çiftit të turistëve, Michal Svatos dhe Anna Kosinova mbrëmjen e 3 korrikut.
Në ambientet e Gjykatës së Shkodrës pritet të mbërrijnë edhe gazetarë çekë, që kanë shprehur interesimin për këtë ngjarje. Në Prokurori 20-vjeçari Sokol Mjacaj ka pranuar krimin për motive grabitje.
Autori u kap dy ditë pas ngjarjes në ambientet e një shkolle në Grudë, pas një superaksioni të policisë. Pas vrasjes, Mjacaj ka tentuar ta kalojë mbrëmjen si gjithmonë dhe ka shkuar në lokalin e një të njohuri në fshatin Grudë e Re. Teksa po konsumonte kafe, ai nuk ka lënë asnjë përshtypje se kishte vrarë dy persona me kallash.
Më herët 20-vjeçari nuk ka dhënë asnjë detaj për bashkëpunëtorët dhe ka këmbëngulur se ka vepruar i vetëm në ekzekutimin e turistëve çekë. Mjacaj akuzohet për vrasjen e dy turistëve çekë, të cilët më pas i hodhi në humnerë bashkë me automjetin e tyre.
20-vjeçari, ishte një i dënuar i mëparshëm. Në kartelën e tij rëndon edhe vrasja e një 12-vjeçari, vetëm për t’i vjedhur zinxhirin e floririt që fëmija mbante. I ndihmuar në 2010-n edhe nga dy shokë të tjerë të tij, ai e vrau të miturin vetëm për ta grabitur. U përpoq të fshihte krimin, duke sajuar një vendngjarje sikur ai u mbyt në lumë, në fshatin Pjollë të Dukagjinit, por hetimet policore dolën në përfundimin se fëmija ishte vrarë./Shekulli