Lajmet e fundit

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës këtë të enjte nga ora 11:00.
Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka thënë për Klankosova.tv se është mbledhje e rregullt ku do të diskutohen për pika të zakonshme.
Po ashtu, Kryesia do të diskutojë edhe për zhvillimet e fundit në lidhje me akuzat për vjedhje votash që u bënë në mes kandidatëve të kësaj partie.
Përfaqësuesi i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmanaj, të mërkurën në mbledhjen e KQZ-së ka bërë kërkesën për rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Përsëris qëndrimin e AAK-së se hetuesia duhet seriozisht të merret në këtë rast me secilin komisioner dhe me secilin përgjegjës në secilin vendvotim dhe kuti, aty ku ka pasë ndërhyrje në rastet konkrete dhe ato që s’i dimë. Në këtë rast bëhet fjalë për AAK, por e vërteta është se ka edhe në mes kandidatëve tjerë dhe subjekteve të tjera dhe prapë kërkoj nga KQZ përkrahje që të bëhet një rinumërim i plotë në mënyrë që të pastrohet si proces dhe të evidentohen të gjitha rastet se kush bëri keqpërdorim dhe secili të përgjigjet për veprën që e ka bërë”.