Lajmet e fundit

Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet seanca e parë në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm”.
Shqyrtimi fillestar pritet të nis në orën 10:00 ku do të bëhen të ditura zyrtarisht akuzat e prokurorisë.
12 të akuzuarit që do të përgjigjen të parët janë pjesëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve.
Prokuroria Speciale ka ftuar Xhavit Jasharin, Agim Çekun, Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahajn, Shkumbin Demaliajn, Qelë Gashin, Shukri Bujan, Ahmet Dakun, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn.
Prokuroria Speciale e Kosovës në shtatorin e vitit që shkoi ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata ia kishte kthyer për përmirësim dhe qartësim këtë aktakuzë Prokurorisë Speciale, me arsyetimin se përshkrimi faktit i veprës penale ishte konfuz dhe si i tillë nuk lejonte mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të procesit.