Lajmet e fundit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, sot do të bëjë publik raportin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2018, njofton Klan Kosova.
Ish-drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka bërë kritika të ashpra ndaj gjendjes së arsimit në Kosovë dhe thotë se sërish rezultati do të jetë shumë i ulët.
“Sipas të gjitha gjasave rezultatet do të jenë të njëjta, pra nivel shumë i ulët i njohurive të nxënësve tanë. Gjendje shumë brengosëse, kritikë e ashpër për trajtimin që i është bërë arsimit gjatë gjithë këtyre viteve. Këmbanë për kujdes e angazhim të secilit në përmirësim të gjendjes ekzistuese”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Këto rezultate janë alarm i fundit për vëmendjen, përgjegjësinë e përkushtimin që duhet të kemi në këtë drejtim. Të gjithë duhet të kthejmë sytë, kapacitetet e buxhetin drejt arsimit. Nuk mund të zhvillojmë ekonominë dhe mirëqenien, përparimin politik e kulturor pa edukim dhe arsimim të mirëfilltë. Edukimi është baza e zhvillimit jo vetëm individual por dhe shoqëror”.