Lajmet e fundit

Sot në orën 11:00 do të bëhet inaugurimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të të parit të vendit janë shpërndarë rreth 1400 ftesa.
Presidentë, kryeministra, ministra e ambasadorë pritet të marrin pjesë në këtë ceremoni që mbahet në sheshin “Skënderbeu”.
Abelard Tahiri – Shefi i Kabinetit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë me dije mbrëmë në emisionin Ora e Fundit se për herë të parë marrin pjesë kaq shumë delegacione në një ceremoni të inaugurimit të presidentit, ku sipas tij janë afro 50 përfaqësues shtetesh që marrin pjesë.
Tahiri ka deklaruar se kjo është një fazë transitore që ndodh për herë të parë në Kosovë, ku bëhet dorëzim-pranimi i detyrës së presidentit, pasi në rastet e mëhershme nuk ka ndodhur kjo.
“Kemi pasur një bashkëpunim të mirë me komunën e Prishtinës dhe Policinë e Kosovës. Masat e sigurisë janë të larta dhe besoj se çdo gjë do të shkojë mirë”.
Sipas tij edhe qytetarët ceremoninë mund ta ndjekin drejtpërdrejt nga sheshi “Zahir Pajaziti, njofton Klan Kosova.
Paraprakisht, kryetari i ri shtetit, Hashim Thaçi betimin si president para deputetëve të Kuvendit të Kosovës e bëri gjatë një ceremonie soleme të mbajtur të enjten.