Lajmet e fundit

Sopranoja ruse Ana Netrebko u tërhoq nga Metropolitan Opera në New York pas presioneve të mëdha se ajo nuk u bë pishman në lidhje me mbështetjen publike për Vladimir Putinin përderisa ky po bën luftë në Ukrainë.
Menaxher i përgjithshëm i Metropolitan Opera, Peter Gelb tha se kjo është një humbje e madhe artistike për institucionin që ai drejton, por shtoi se nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër përderisa Putin po vret viktima të pafajshme në Ukrainë.
Netrebko njihej për raporte të afërta me presidentin nga Kremlini, i cili e kishte shpallur atë Artiste të Popullit në Rusi, më 2008. Sopranoja kishte financuar një shtëpi opere në Donjeck, më 2014, gjatë kohës së rebelimit të kësaj zone ndaj qeverisë ukrainase në Kiev. Kjo krahinë, bashke me Luhanskin, u njohen si shtete të pavarura nga Kremlini, muajin e kaluar.
Pas largimit të ruses, Metropolitan Opera mori vendim që ta zëvendësojë atë me një soprano rivale të saj, të paktën për sa i përket luftës së ditëve të fundit, ukrainasen Liudmyla Monastyrska. Kjo do të luajë, të paktën, pesë herë në shfaqjen Turandot.