Lajmet e fundit

Gjatë kohëve të fundit në vend janë shtuar rastet e grabitjeve e plaçkitjeve në barnatore, banka, markete e në shumë biznese tjera.
Për këtë temë u diskutua në Info Magazine të Klan Kosovës, ku e ftuar ishte sociologia Flakë Ymeri, e cila tregoi për shkaqet që shtyjnë për vjedhje.
“Nëse është nën moshën 18 vjeç dhe i mitur, faktorët mund të jenë shkaqet ekonomike dhe mosformimi i duhur i personalitetit, që dikush ta përdorë për të bërë grabitje”, tha Ymeri.
“Grupmosha e fëmijëve përdoren nga grupmosha madhore sepse dënimet për ta janë më të ulëta”.
Ndërsa për grabitjet që bëhen nga mosha madhore, Ymeri tha se është fenomen sepse ata e shohin si punë që e kanë apo diçka, nga e cila synojnë përfitime të shumta personale.
“Mendja e tyre është e turbullt, mirëpo ata e mendojnë, sepse të kryesh një grabitje sigurisht se në ato momente mund të mendojnë vdekjen e tyre, sepse nuk e dinë se me kë do të ballafaqohen”, u shpreh sociologia.
Për personat që janë cak i grabitësve, Ymeri tha se ata më së shumti pësojnë në gjendjen psikologjike.
“Është një traumë, e cila mund të bartet shumë gjatë dhe më pas të shkaktojë posttraumë dhe gjërat mund të përfundojnë jo mirë, pasi trauma dhe posttrauma shkaktojnë probleme të tjera në jetë. Gjendja e tyre shoqërore emocionale nuk do të jetë stabile, nëse nuk trajtohet”.
Tutje Ymeri tha se posttrauma më së shumti përjetohet nga gjinia femërore dhe fëmijët, pasi sipas saj, ata janë më të ndjeshëm.