Lajmet e fundit

Hashim Thaçi, ish lideri i partisë Demokratike të Kosovës tani Presidenti i Ri i vendit, është shprehur se nuk e shqetësojnë qëndrimet e partive opozitare në Kosovë, të cilët ishin kategorikisht kundër zgjedhjes së tij si i pari i vendit.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, presidenti i Sapozgjedhur u deklarua se opozita nuk përcolli mesazh të mirë në botë, në ditën kur ai u zgjodh president.
“Fjalimet që u mbajtën në Kuvend ditën kur u zgjodha president, nuk ishin të sikletshme për mua. Kjo është demokracia në Kosovë, ky është mendimi i lirë e i kundërt”, u deklarua Thaçi.
“I kuptoj të gjithë zërat kundërshtarë dhe i respektoj, megjithëse nuk pajtohem me ta kur thonë gjëra të pavërteta. Sjelljet e opozitarëve nuk ishin të mira e adekuate. Nuk e përcollën mesazhin pozitiv në botë”.
“Të gjithë njerëzit në Kosovë e edhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë mësuar me përpjekjet e pengimit të Kuvendit. Mirëpo Kuvendi ka punuar, askush s’mund ta pengojë punën e tij”, ka thënë presidenti i ri.