Lajmet e fundit

Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Slloveni, është takuar me zëvendëskryeministrin njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi, Karl Erjavec, si dhe me sekretaren e shtetit në këtë ministri, ambasadoren Dragoljuba Bencina.
Çollaku ka njoftuar palën sllovene me hapat që po ndërmerr Kosova në fushën e integrimit evropian duke u ndalur tek caku i radhës që lidhet me liberalizimin e vizave.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit (MSA) mes Kosovës dhe BE-së dhe ratifikimit të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ministri Çollaku, ka nënvizuar se Kosova pret me të drejtë nga Komisioni Evropian, të konfirmojë përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave dhe të rekomandojë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e saj.
Ndërkaq kryediplomati slloven Erjavec dhe ambasadorja Bencina, kanë përgëzuar ministrin kosovar për nënshkrimin e MSA-së, lidershipin e treguar në marrjen e vendimeve të rëndësishme të cilat kanë forcuar perspektivën evropiane të vendit, si dhe kanë rikonfirmuar gatishmërinë e shtetit të tyre për të përkrahur liberalizimin e vizave për kosovarët, transmeton Klan Kosova.