Lajmet e fundit
Martin Berishaj, Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare: Sllovenia me këtë akt ka dashur të tregojë karshi bashkësisë ndërkombëtare se sa janë të përpiktë në zgjidhjen e problemeve, por tash futen edhe më thellë në moszgjidhjen e tyre.

Martin Berishaj, Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë për Epoka e Re se ndalimi i Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, parimisht ka qenë një respektim i një data baze të Interpolit e cila varet prej shtetit në shtet se si e respekton.
Por, ai vlerësoi se reagimi në këtë formë i shtetit slloven ka qenë i panevojshëm, dhe ky arrestim vetëm sa e ka dëmtuar Slloveninë.
Berishaj tha se sistemi juridik slloven është kryekëput peng i politikës.
“Me këtë akt Sllovenia më tepër ka humbur karshi vetes dhe situatës ndërkombëtare”.
“Ata me këtë veprim kanë dashur të tregojë karshi bashkësisë ndërkombëtare se sa janë të përpiktë në zgjidhjen e këtyre problemeve, por që futen edhe më thellë në moszgjidhjen e tyre”, ka deklaruar Berishaj.
Megjithatë, ai ka thënë se marrëdhëniet me Slloveninë nuk duhet të prishen, sepse ky është vend mik i Kosovës.
“Nuk kemi nevojë t’i shpallim karshillëk një shteti që na ka pranuar dhe na ka mbështetur si shtet. Marrëdhëniet tona me Slloveninë janë miqësore, por duhet të jenë në bazë të reciprocitetit. Këto marrëdhënie ndërmjet shteteve janë të mira, të cilat duhet t’i relaksojmë dhe nuk kemi nevojë t’i egërsojmë”, ka theksuar Berishaj, i cili e ka vizituar në Lubjanë, Haradinajn.