Lajmet e fundit

''Sky Ticket'', agjencia me bileta fiktive, e cila reklamon se kryen këtë shërbim për 19 qytete evropiane, i mbeti borxh mërgimtarit nga Kosova, i cili ishte nisur nga Dusseldorfi.
Kosovari e kuptoi se ishte viktimë e mashtrimit në sportelin e aeroportit kur punonjësja i kumtoi lajmin se bileta të cilën e kishte ofruar ishte false.
Pas gati një javë pritje, viktima e mori premtimin nga agjencia se do t’ia kthenin paratë dhe kështu do ta mbyllnin rastin.
Mirëpo, ky mbeti vetëm një premtim.
Tash e gati një muaj paratë nuk iu kthyen.
“Sky Ticket” gjendet lehtësisht në rrjete sociale, aty ku edhe u mashtrua qytetari, i cili e dha rrëfimin e tij në Kiks Kosova.
Ani pse reklamojnë udhëtime e çmime të lira biletash, duket se kur kërkohet llogari nga ta për mashtrimin e bërë, përgjigjen e kanë vështirë ta japin.
Kiksi dërgoi mesazh te kjo faqe, duke i kërkuar sqarim dhe duke i ofruar mundësinë që ta japin versionin e tyre për ngjarjen e ndodhur.
“Kur është themeluar agjencia ''Sky Ticket'', a është e regjistruar, ku e ka selinë, cili është versioni i tyre lidhur me rastin konkret, çka ndodh në raste të tilla kur biletat rezultojnë inekzistente në momentin e check in, a rimbursohen klientët?”
Meqë këto pyetje mbetën pa përgjigje, provuam një mundësi tjetër - atë të numrit kontaktues, me të cilin kishte biseduar edhe vetë mërgimtari.
Edhe kjo formë dështoi...
Duke qenë se në faqen e tyre zyrtare nuk kishte ndonjë adresë për zyrë fizike, provuam ta gjenim në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
Por çka të shohim?
''Sky Ticket'' nuk ekzistonte fare në ARBK.
Deri në momentin që po transmetohet kjo storje, Kiksi nuk ka marrë ende një sinjal nga agjencia “Sky Ticket”.